Albanian Bible

Eksodi 29

Eksodi

Return to Index

Chapter 30

1

 

  "Do të bësh edhe një altar për të djegur temjanin; dhe do ta bësh prej druri të akacies. 

 

 


2

 

  Do të jetë një kubit i gjatë dhe një kubit i gjerë; do të jetë katror dhe do të ketë një lartësi dy kubitësh; brirët e tij do të përbëjnë një pjesë të vetme me të. 

 

 


3

 

  Do ta veshësh me ar safi: pjesën e tij të sipërme, anët e tij rreth e qark dhe brirët e tij; do t`i bësh edhe një kurorë ari. 

 

 


4

 

  Do t`i bësh edhe dy unaza ari nën kurorë, në të dy krahët e tij; do t`i vësh në të dy krahët e tij për të kaluar shtizat, të cilat shërbejnë për ta mbartur. 

 

 


5

 

  Shtizat do të bëhen me dru të akacies dhe do t`i veshësh me ar. 

 

 


6

 

  Do ta vendosësh altarin përpara velit që ndodhet përpara arkës së dëshmisë, përballë pajtuesit që ndodhet mbi dëshminë, ku unë do të të takoj. 

 

 


7

 

  Mbi të Aaroni do të djegë temjan të parfumuar; do ta djegë çdo mëngjes, kur rregullon llambat. 

 

 


8

 

  Kur Aaroni ndez llambat në të ngrysur, do të djegë temjanin: një temjan i vazhdueshëm përpara Zotit, për brezat e ardhshëm. 

 

 


9

 

  Nuk do të ofroni mbi të as temjan të huaj, as olokaust, as blatim; dhe mbi të nuk do të derdhni libacione. 

 

 


10

 

  Dhe Aaroni do të bëjë një herë në vit shlyerjen e mëkatit mbi brirët e tij; me gjakun e flisë së shlyerjes së mëkatit do të bëjë mbi të shlyerjen një herë në vit, brez pas brezi. Do të jetë gjë shumë e shenjtë, e shenjtë për Zotin". 

 

 


11

 

  Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë: 

 

 


12

 

  "Kur do të bësh llogarinë e bijve të Izraelit, për regjistrimin e tyre, secili do t`i japë Zotit shpengimin e jetës së tij, kur do të numërohen, me qëllim që të mos goditen nga ndonjë plagë, kur do të bësh regjistrimin e tyre. 

 

 


13

 

  Kjo është ajo që do të japë secili nga ata që paguajnë taksë: gjysmë sikli, simbas siklit të shenjtërores, (sikli është baras me njëzet gere), një gjysmë sikli do të jetë oferta që duhet t`i bëhet Zotit. 

 

 


14

 

  Kushdo që do të përfshihet nga regjistrimi, njëzet vjeç e lart, do t`i japë Zotit këtë ofertë. 

 

 


15

 

  I pasuri nuk do të japë më tepër, as i varfëri më pak se gjysmë sikli, kur do t`i bëhet kjo ofertë Zotit për të shlyer fajet e jetës suaj. 

 

 


16

 

  Do të marrësh, pra, nga djemtë e Izraelit këto të holla të shërbimit dhe do t`i përdorësh për shërbimin e çadrës së mbledhjes: kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një kujtim para Zotit për të bërë shlyerjen për jetën tuaj". 

 

 


17

 

  Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 

 

 


18

 

  "Do të bësh edhe një legen prej bronzi, me bazën e tij prej bronzi, për t`u larë; do ta vendosësh midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh edhe ujë. 

 

 


19

 

  Dhe aty Aaroni dhe bijtë e tij do të lajnë duart dhe këmbët. 

 

 


20

 

  Kur do të hyjnë në çadrën e mbledhjes, do të lahen me ujë, që të mos vdesin; kështu edhe kur do t`i afrohen altarit për të shërbyer, për të tymosur një ofertë të bërë Zotit me anë të zjarrit. 

 

 


21

 

  Do të lajnë duart dhe këmbët e tyre, që të mos vdesin. Ky do të jetë një rregull i përjetshëm, për atë dhe për pasardhësit e tij, brez pas brezi". 

 

 


22

 

  Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 

 

 


23

 

  "Gjej edhe aromat më të mira: pesëqind sikla mirrë të lëngët, dyqind e pesëdhjetë, domethënë gjysma, cinamon aromatik dhe dyqind e pesëdhjetë kanellë aromatike, 

 

 


24

 

  pesëqind sikla, në bazë të siklit të shenjtërores, kasie dhe një hin vaj ulliri. 

 

 


25

 

  Me këto të përgatitësh një vaj për vajosjen e shenjtë, një parfum të prodhuar me artin e parfumierit: ky do të jetë vaji i vajosjes së shenjtë. 

 

 


26

 

  Me të do të vajosësh çadrën e mbledhjes dhe arkën e dëshmisë, 

 

 


27

 

  tryezën dhe të gjitha veglat e tij, shandanin dhe të gjitha përdorëset e tij, altarin e temjanit, 

 

 


28

 

  altarin e olokausteve dhe të gjitha përdorëset e tij, legenin dhe bazën e tij. 

 

 


29

 

  Do të shenjtërosh kështu këto gjëra dhe do të jenë shumë të shenjta; të gjitha sendet që u përkasin, do të jenë të shenjta. 

 

 


30

 

  Do të vajosësh edhe Aaronin dhe bijtë e tij dhe do t`i shenjtërosh, me qëllim që të më shërbejnë si priftërinj. 

 

 


31

 

  Pastaj do t`u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: "Ky do të jetë për mua një vaj për vajosjen e shenjtë, brez pas brezi. 

 

 


32

 

  Nuk do ta derdhni mbi mish njeriu dhe nuk do të përgatisni tjetër po ashtu; ai është i shenjtë, do të jetë i shenjtë edhe për ju. 

 

 


33

 

  Kushdo që përgatit të ngjashëm, apo kushdo që e vë mbi një të huaj, do të shfaroset nga populli i tij"". 

 

 


34

 

  Zoti i tha akoma Moisiut: "Gjej disa aroma, storaks, guaska erëmira, galban, aroma me temjan të kulluar, në doza të barabarta; 

 

 


35

 

  do të përgatitësh me to një parfum simbas artit të parfumierit, një parfum të kripur, të pastër dhe të shenjtë; 

 

 


36

 

  do ta kthesh një pjesë të tij në pluhur shumë të hollë dhe do të vendosësh pak nga ai përpara dëshmisë në çadrën e mbledhjes, ku unë do të të takoj: ai do të jetë për ju një gjë shumë e shenjtë. 

 

 


37

 

  Por nga temjani që ke për të bërë, nuk do të përgatisni për veten tuaj me të njëjtën përbërje; kjo do të jetë për ty një gjë e shenjtë kushtuar Zotit. 

 

 


38

 

  Kushdo që do të përgatisë një temjan të këtij lloji, do të shfaroset nga populli i tij". 

 

 


Eksodi 31

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: