Albanian Bible

Ligji i Përtërirë 23

Ligji i Përtërirë

Return to Index

Chapter 24

1

 

  "Kur një njeri merr një grua dhe martohet me të, dhe më vonë ndodh që ajo nuk e kënaq më, sepse ai ka gjetur në të diçka të turpshme, le të shkruajë një shkresë ndarjeje, t`ia japë në dorë dhe ta dëbojë nga shtëpia e saj; 

 

 


2

 

  në qoftë se ajo del nga shtëpia e saj dhe bëhet bashkëshorte e një burri tjetër, 

 

 


3

 

  në rast se bashkëshorti i fundit fillon ta urrejë, ai shkruan për të një shkresë ndarjeje, ia jep në dorë dhe e dëbon nga shtëpia e tij, ose në se bashkëshorti i fundit që e kishte marrë për grua vdes, 

 

 


4

 

  burri i parë që e kishte dëbuar nuk do të mund ta marrë përsëri për grua, pasi ajo është ndotur, sepse kemi të bëjmë me një akt të neveritshëm në sytë e Zotit; dhe ti nuk do ta njollosësh me mëkat vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi. 

 

 


5

 

  Në qoftë se një njeri është i porsamartuar, ai nuk do të shkojë në luftë dhe nuk do t`i ngarkohen detyra; ai do të jetë i lirë në shtëpinë e tij për një vit dhe do të bëjë të lumtur gruan me të cilën është martuar. 

 

 


6

 

  Asnjeri nuk do të marrë peng gurin e mokrës së poshtme apo atë të sipërme, sepse do të ishte njëlloj siur të merrte peng jetën e dikujt. 

 

 


7

 

  Në rast se kapet një njeri duke rrëmbyer një nga vëllezërit e tij ndër bijtë e Izraelit, dhe e trajton keq dhe e shet, ai rrëmbyes do të vritet; kështu do ta shkulësh të keqen nga gjiri yt. 

 

 


8

 

  Në raste lebre trego kujdes të madh dhe bëj gjithçka t`ju mësojnë priftërinjtë levitë; do të keni kujdes të veproni ashtu siç i kam urdhëruar. 

 

 


9

 

  Mbaj mend atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri Miriamit gjatë udhëtimit, mbas daljes suaj nga Egjipti. 

 

 


10

 

  Kur i jep hua diçka të afërmit tënd nuk do të hysh në shtëpinë e tij për të marrë pengun e tij; 

 

 


11

 

  do të rrish jashtë saj, dhe njeriu të cilit i ke dhënë hua do të ta sjellë jashtë pengun. 

 

 


12

 

  Dhe në rast se ai njeri është i varfër, nuk do të shkosh të flesh duke pasur akoma pengun e tij. 

 

 


13

 

  Duhet t`ia kthesh pengun në perëndim të diellit, në mënyrë që ai të flerë në mantelin e tij dhe të të bekojë; dhe kjo do të vihet në llogarinë e drejtësisë para syve të Zotit, Perëndisë tënd. 

 

 


14

 

  Nuk do t`i hash hakun argatit të varfër dhe nevojtar, qoftë ai një nga vëllezërit e tu apo një nga të huajt që banojnë në vendin tënd, brenda portave të tua; 

 

 


15

 

  do t`i japësh pagën e tij po atë ditë, para se të perëndojë dielli, sepse ai është i varfër dhe kjo është dëshira e tij; kështu ai nuk do të bërtasë kundër teje para Zotit dhe ti nuk do të kesh mëkat. 

 

 


16

 

  Nuk do të dënohen me vdekje etërit për bijtë e tyre, as do të vriten bijtë për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet. 

 

 


17

 

  Nuk do të cënosh të drejtën e të huajit o të jetimit dhe nuk do të marrësh peng rrobat e gruas së ve; 

 

 


18

 

  por do të kujtosh se ke qenë skllav në Egjipt dhe se të ka liruar Zoti, Perëndia yt; prandaj të veprosh në këtë mënyrë. 

 

 


19

 

  Kur korr në arën tënde dhe harron aty një demet, nuk do të kthehesh prapa për ta marrë; do të jetë për të huajin, për jetimin dhe gruan e ve, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në tërë veprën e duarve të tua. 

 

 


20

 

  Kur do të shkundësh kokrrat e ullinjve të tua, nuk do të kthehesh në degët e tyre; ullinjtë që kanë mbetur do të jenë për të huajin, për jetimin dhe për gruan e ve. 

 

 


21

 

  Kur të vjelësh vreshtin tënd, nuk do të kalosh një herë të dytë; vilet e mbetura do të jenë për të huajin, për jetimin dhe për gruan e ve. 

 

 


22

 

  Dhe do të kujtosh se ke qenë skllav në vendin e Egjiptit; prandaj të urdhëroj të veprosh në këtë mënyrë". 

 

 


Ligji i Përtërirë 25

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: