Albanian Bible

Nehemia 1

Nehemia

Return to Index

Chapter 2

1

 

  Në muajin e Nisanit, vitin e njëzetë të mbretit Artakserks, sapo e sollën verën para tij, unë e mora verën dhe ia zgjata atij. Unë nuk kisha qenë i trishtuar kurrë në prani të tij. 

 

 


2

 

  Prandaj mbreti më tha: "Pse ke pamje të trishtuar, ndonëse nuk je i sëmurë? Kjo nuk mund të jetë veçse një trishtim i zemrës". Atëherë më zuri një frikë shumë e madhe, 

 

 


3

 

  dhe i thashë mbretit: "Rroftë mbreti përjetë! Si mund të mos jetë fytyra ime e trishtuar kur qyteti ku janë varrosur etërit e mi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri?". 

 

 


4

 

  Mbreti më tha: "Çfarë kërkon?". Atëherë unë iu luta Perëndisë të qiellit 

 

 


5

 

  dhe pastaj iu përgjigja mbretit: "Në qoftë se kjo i pëlqen mbretit dhe shërbëtori yt ka gjetur mirëdashje në sytë e tu, më lejo të shkoj në Judë, në qytetin e varreve të etërve të mi, që ta rindërtoj atë". 

 

 


6

 

  Mbreti më tha (mbretëresha i rrinte ulur në krah): "Sa do të zgjasë udhëtimi dhe kur do të kthehesh?". Kështu i pëlqeu mbretit të më lërë të shkoj dhe unë i tregova një afat kohe. 

 

 


7

 

  Pastaj i thashë mbretit: "Në rast se kështu i pëlqen mbretit, të më jepen letra për qeveritarët e krahinës matanë Lumit që të më japin lejen e kalimit deri sa të arrijë në Judë, 

 

 


8

 

  dhe një letër për Asafin, mbikëqyrësin e pyllit të mbretit, që të më japë lëndën e drurit për të ndërtuar portat e qytezës së bashkuar me tempullin, për muret e qytetit dhe për shtëpinë në të cilën do të shkoj të banoj". Mbreti më dha letrat, sepse dora mirëdashëse e Perëndisë tim ishte mbi mua. 

 

 


9

 

  Arrita kështu te qeveritarët e krahinës matanë Lumit dhe u dhashë atyre letrat e mbretit. Me mua mbreti kishte dërguar një trup përcjellës të përbërë nga komandantë të ushtrisë dhe nga kalorës. 

 

 


10

 

  Por kur Sanballati, Horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori i Amonit, e mësuan këtë gjë, u shqetësuan shumë, sepse kishte ardhur një burrë që kërkonte të mirën e bijve të Izraelit. 

 

 


11

 

  Kështu arrita në Jeruzalem dhe qëndrova atje tri ditë. 

 

 


12

 

  Pastaj u ngrita natën me pak burra të tjerë, por nuk i thashë gjë asnjeriut nga ato që Perëndia im më kishte vënë në zemër të bëja për Jeruzalemin. Nuk kisha me vete asnjë kafshë tjetër, barre, veç asaj së cilës i kisha hipur. 

 

 


13

 

  Dola natën nga porta e Luginës, në drejtim të burimit të Dragoit dhe të portës së Plehut, duke kontrolluar kështu muret e Jeruzalemit që ishin plot me të çara dhe portat e tij të konsumuara nga zjarri. 

 

 


14

 

  Vazhdova pastaj me portën e Burimit dhe pishinën e Mbretit, por nuk kishte vend nga të kalonte kafsha mbi të cilën kisha hipur. 

 

 


15

 

  Atëherë iu ngjita natën luginës, duke inspektuar gjithnjë muret; më në fund u ktheva prapa, duke hyrë nga porta e Luginës, dhe kështu u ktheva. 

 

 


16

 

  Zyrtarët nuk dinin se ku kisha shkuar dhe as me se isha marrë. Deri në atë çast nuk u kisha thënë asgjë Judejve, priftërinjve, parisë, zyrtarëve dhe as atyre që merreshin me punimet. 

 

 


17

 

  Atëherë u thashë atyre: "Ju e shikoni gjendjen e mjeruar në të cilat ndodhemi: Jeruzalemi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri! Ejani, t`i rindërtojmë muret e Jeruzalemit, dhe kështu nuk do të jemi më të turpëruar!". 

 

 


18

 

  U tregova pastaj atyre si dora bamirëse e Perëndisë tim kishte qenë mbi mua si dhe fjalët që mbreti më kishte thënë. Atëherë ata thanë: "Të ngrihemi dhe t`i vihemi ndërtimit!". Kështu morën kurajo për t`i forcuar duart e tyre për këtë punë të rëndësishme. 

 

 


19

 

  Por kur Sanbalati, Horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori Amonit, dhe Geshemi, Arabi, e mësuan këtë gjë, filluan të tallen dhe të na përbuzin, duke thënë: "Çfarë po bëni? Mos doni, vallë, të ngrini krye kundër mbretit?". 

 

 


20

 

  Atëherë unë u përgjigja dhe u thashë atyre: "Do të jetë vetë Perëndia i qiellit që do të na sigurojë suksesin. Ne, shërbëtorët e tij, do të fillojmë ndërtimin, por për ju nuk do të ketë as pjesë, as të drejtë, as kujtim në Jeruzalem". 

 

 


Nehemia 3

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: