Albanian Bible

Psalmet 103

Psalmet

Return to Index

Chapter 104

1

 

  Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi. 

 

 


2

 

  Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër; 

 

 


3

 

  ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës. 

 

 


4

 

  I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij. 

 

 


5

 

  Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë. 

 

 


6

 

  Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet. 

 

 


7

 

  Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim. 

 

 


8

 

  Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to. 

 

 


9

 

  Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën. 

 

 


10

 

  Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve, 

 

 


11

 

  dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre. 

 

 


12

 

  Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre. 

 

 


13

 

  Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua. 

 

 


14

 

  Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij, 

 

 


15

 

  dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut. 

 

 


16

 

  Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë; 

 

 


17

 

  aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij. 

 

 


18

 

  Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve. 

 

 


19

 

  Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij. 

 

 


20

 

  Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit. 

 

 


21

 

  Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre. 

 

 


22

 

  Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre. 

 

 


23

 

  Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje. 

 

 


24

 

  Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua. 

 

 


25

 

  Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta; 

 

 


26

 

  e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t`u tallur në të. 

 

 


27

 

  Të gjithë presin që ti t`u japësh ushqimin në kohën e duhur. 

 

 


28

 

  Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira. 

 

 


29

 

  Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre. 

 

 


30

 

  Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut. 

 

 


31

 

  Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij; 

 

 


32

 

  ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym. 

 

 


33

 

  Unë do t`i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t`i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem. 

 

 


34

 

  Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti. 

 

 


35

 

  Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja. 

 

 


Psalmet 105

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: