Albanian Bible

Isaia 25

Isaia

Return to Index

Chapter 26

1

 

  Atë ditë do të këndohet kjo këngë në vendin e Judës: "Ne kemi një qytet të fortë; Perëndia ka vënë shpëtimin për mure dhe për bastione. 

 

 


2

 

  Hapni portat dhe le të hyjë kombi i drejtë, që ruan besnikërinë". 

 

 


3

 

  Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti. 

 

 


4

 

  Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm. 

 

 


5

 

  Ai ka përulur ata që rrinin lart, ka ulur qytetin e lartë, e ka ulur deri në tokë, e ka hedhur në pluhur; 

 

 


6

 

  këmbët e shkelin, pikërisht këmbët e të varfërit dhe hapat e mjeranëve. 

 

 


7

 

  Rruga e të drejtit është e drejtë; o Perëndi i drejtë, ti sheshon shtegun e të drejtit. 

 

 


8

 

  Po, në rrugën e gjykimeve të tua, o Zot, ne të kemi pritur. Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd. 

 

 


9

 

  Me shpirtin tim të dëshiroj natën, po, me frymën që është brenda meje të kërkoj në mëngjes herët; sepse kur shfaqen gjykimet e tua mbi tokë, banorët e botës mësojnë drejtësinë. 

 

 


10

 

  Në rast se falet i pabesi, ai nuk do ta mësojë drejtësinë; ai do të veprojë në mënyrë të çoroditur në vendin e ndershmërisë dhe nuk do të mund të shikojë madhështinë e Zotit. 

 

 


11

 

  O Zot, dora jote është ngritur, por ata nuk e shohin. Por ata do ta shohin zellin tënd për popullin tënd dhe do të mbeten të hutuar; po, zjarri i armiqve të tu do t`i përpijë. 

 

 


12

 

  O Zot, ti do të vendosësh paqen për ne, sepse ti kryen për ne çdo vepër tonën. 

 

 


13

 

  O Zot, Perëndia ynë, zotër të tjerë, veç teje, na kanë sunduar; por vetëm për ty të mbajmë mend emrin. 

 

 


14

 

  Të vdekurit nuk do të rijetojnë më, ata që shkuan nuk do të vijnë më; prandaj ti i ke ndëshkuar, ke shkatërruar dhe ke zhdukur çdo kujtim të tyre. 

 

 


15

 

  Ti e ke rritur kombin, o Zot, e ke rritur kombin, je përlëvduar; i ke zgjeruar tërë kufijtë e vendit. 

 

 


16

 

  O Zot, në çastet e fatkeqësisë të kanë kujtuar, kanë bërë një lutje kur ndëshkimi yt po i godiste. 

 

 


17

 

  Ashtu si një grua me barrë që është gati për të lindur dhe përpëlitet dhe ulërin nga të prerat që ka, kështu kemi qenë ne para teje, o Zot. 

 

 


18

 

  Jemi ngjizur, kemi ndjerë dhembjet, ashtu sikur të kishim për të lindur, por ishte vetëm erë; nuk i kemi dhënë asnjë shpëtim vendit dhe banorët e botës nuk kanë rënë. 

 

 


19

 

  Të vdekurit e tu do të rijetojnë, bashkë me kufomën time, do të ringjallen. Zgjohuni dhe gëzohuni, o ju që banoni në pluhur! Sepse vesa jote është si vesa e një drite që shkëlqen dhe toka do të nxjerrë në dritë të vdekurit. 

 

 


20

 

  Shko, o populli im, hyr në dhomat e tua, mbylli portat e tua prapa teje; fshihu për një çast, deri sa të kalojë zemërimi. 

 

 


21

 

  Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij për të ndëshkuar paudhësinë e banorëve të tokës; toka do të nxjerrë në shesh gjakun e derdhur dhe nuk do të t`i fshehë më të vrarët e saj. 

 

 


Isaia 27

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: