Albanian Bible

Jeremia 27

Jeremia

Return to Index

Chapter 28

1

 

  Po atë vit, në fillim të mbretërimit të Sedekias, mbret i Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, ndodhi që Hananiahu, bir i Azurit, profetit, që ishte nga Gabaoni, më foli në shtëpinë e Zotit, 

 

 


2

 

  "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Unë thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë. 

 

 


3

 

  Brenda dy vjetëve unë do të bëj që të kthehen në këtë vend të gjitha orenditë e shtëpisë së Zotit, që Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, mori nga ky vend dhe i çoi në Babiloni. 

 

 


4

 

  Do të kthej gjithashtu në këtë vend", thotë Zoti, "Jekoniahun, birin e Jehojakimit, mbret i Judës, me gjithë të internuarit e Judës që kanë shkuar në robëri në Babiloni, sepse do të thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë". 

 

 


5

 

  Atëherë profeti Jeremia iu përgjigj profetit Hananiah në prani të priftërinjve dhe në prani të të gjithë popullit që gjendej në shtëpinë e Zotit. 

 

 


6

 

  Profeti Jeremia tha: "Amen! Kështu le të bëjë Zoti! Zoti realizoftë atë që ke profetizuar, duke bërë që të kthehen nga Babilonia në këtë vend orenditë e shtëpisë së Zotit dhe të gjithë ata që janë çuar në robëri! 

 

 


7

 

  Megjithatë dëgjo tani këtë fjalë që do të të them para veshëve të tu dhe para veshëve të gjithë popullit. 

 

 


8

 

  Profetët që kanë ardhur para meje dhe para teje, që nga kohët e lashta kanë profetizuar kundër shumë vendeve dhe kundër mbretërive të mëdha, luftën, urinë dhe murtajën. 

 

 


9

 

  Profeti që profetizon paqen, kur fjala e tij do të realizohet, do të njihet si një profet i vërtetë i dërguar nga Zoti". 

 

 


10

 

  Atëherë profeti Hananiah mori zgjedhën nga qafa e profetit Jeremia dhe e copëtoi. 

 

 


11

 

  Pastaj Hananiahu foli në prani të të gjithë popullit, duke thënë: "Kështu thotë Zoti: Në këtë mënyrë unë do të thyej zgjedhën e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, brenda dy vjetëve, nga qafa e të gjitha kombeve. Profeti Jeremia iku nëpër rrugën e tij. 

 

 


12

 

  Mbasi profeti Hananiah theu zgjedhën nga qafa e profetit Jeremia, fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë: 

 

 


13

 

  "Shko dhe i thuaj Hananiahut: Kështu thotë Zoti: Ti ke thyer disa zgjedha prej druri, por në vendin e tyre ke krijuar zgjedha prej hekuri. 

 

 


14

 

  Kështu në fakt thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Unë vë një zgjedhë prej hekuri mbi qafën e tërë këtyre kombeve që t`i shërbejnë Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ata do t`i shërbejnë. Atij i kam dhënë gjithashtu kafshët e fushës". 

 

 


15

 

  Pastaj profeti Jeremia i tha profetit Hananiah: "Dëgjo, Hananiah, Zoti nuk të ka dërguar, dhe ti e ke shtyrë këtë popull t`i besojë gënjeshtrës. 

 

 


16

 

  Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të të përzë nga faqja e dheut. Sivjet ke për të vdekur, sepse ke folur për rebelim kundër Zotit"". 

 

 


17

 

  Profeti Hananiah vdiq po atë vit, në muajin e shtatë. 

 

 


Jeremia 29

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: