Albanian Bible

Vajtimet 3

Vajtimet

Return to Index

Chapter 4

1

 

  Si u nxi ari, si u prish ari më i mirë! Gurët e shenjtërores u shpërndanë në hyrje të të gjitha rrugëve. 

 

 


2

 

  Bijtë e çmuar të Sionit që çmoheshin si ar i kulluar, vallë si u konsideruan si enë prej balte, si punë e kryer nga duart e poçarit? 

 

 


3

 

  Edhe çakejtë japin gjirin për të ushqyer të vegjëlit e tyre, por bija e popullit tim është bërë mizore si strucët e shkretëtirës. 

 

 


4

 

  Gjuha e foshnjës në gji ngjitet, në qiellzën e tij nga etja; fëmijët kërkojnë bukë, por nuk ka njeri që t`ua japë atyre. 

 

 


5

 

  Ata që hanin ushqime të shijshme lëngojnë nëpër rrugë; ata që ishin rritur në purpur përqafojnë plehërishten. 

 

 


6

 

  Ndëshkimi i paudhësisë të vajzës së popullit tim është më i madh se ndëshkimi i mëkatit të Sodomës, që u shkatërrua në një çast, pa ndërhyrjen e dorës së njeriut kundër saj. 

 

 


7

 

  Princat e saj ishin më të shkëlqyeshëm se bora, më të bardhë se qumështi; e kishin trupin më të kuq se koralet, fytyra e tyre ishte si një safir. 

 

 


8

 

  Tani pamja e tyre është më e zezë se terri; nuk njihen dot më nëpër rrugë; lëkura e tyre bashkohet me kockat e tyre, është tharë, është bërë si dru. 

 

 


9

 

  Të vrarët nga shpata janë më mirë se ata që vdesin nga uria, sepse këta të fundit mbarojnë të rraskapitur nga mungesa e prodhimeve të fushës. 

 

 


10

 

  Duart e grave të mëshirëshme kanë pjekur vetë fëmijët e tyre, të cilët u kanë shërbyer si ushqim, në shkatërrimin e bijës së popullit tim. 

 

 


11

 

  Zoti i dha fund tërbimit të tij, ka derdhur zemërimin e tij të zjarrtë, ka ndezur në Sion një zjarr, që ka gllabëruar themelet e tij. 

 

 


12

 

  Mbretërit e dheut dhe tërë banorët e botës nuk do të kishin besuar kurrë që kundërshtari dhe armiku do të hynin në portat e Jeruzalemit. 

 

 


13

 

  Por kjo ndodhi për shkak të mëkateve të profetëve të tij dhe për shkak të paudhësive të priftërinjve të tij, që kanë derdhur në mes të saj gjakun e njerëzve të drejtë. 

 

 


14

 

  Ata endeshin si të verbër nëpër rrugë, të ndotur me gjak, në mënyrë që askush nuk mund të prekte veshjet e tyre. 

 

 


15

 

  Sapo dukeshin njerëzit bërtisnin: "Largohuni, një i papastër! Largohuni, largohuni mos e prekni!". Kur iknin dhe shkonin duke u endur midis kombeve thonin: "Nuk do të mund të rrijnë më këtu". 

 

 


16

 

  Fytyra e Zotit i ka shpërndarë, nuk do të kthejë mbi ta shikimin e tij; nuk kanë pasur respekt për priftërinjtë dhe as kanë treguar dhembshuri për pleqtë. 

 

 


17

 

  Përveç kësaj sytë tona konsumoheshin në pritjen e një ndihme të kotë. Nga vendi ynë i vëzhgimit prisnim më kot një komb që nuk mund të na shpëtonte. 

 

 


18

 

  Na gjuanin në çdo hap, duke na penguar të ecnim nëpër sheshet tona. Fundi ynë është i afërt, ditët tona janë plotësuar, fundi ynë ka mbërritur. 

 

 


19

 

  Përndjekësit tanë kanë qenë më të shpejtë se shqiponjat e qiellit, na kanë ndjekur në malet, na kanë ngritur prita në shkretëtirë. 

 

 


20

 

  Fryma e flegrave tona, i vajosuri i Zotit është marrë në gropat e tyre, ai për të cilin thoshim: "Në hijen e tij do të jemi midis kombeve". 

 

 


21

 

  Gëzohu dhe kënaqu, o bijë e Edomit, që banon në vendin e Utsit. Edhe ty do të të vijë kupa; do të dehesh dhe do të zbulosh lakuriqësinë tënde. 

 

 


22

 

  Ndëshkimi i paudhësisë sate u krye, o bijë e Sionit. Ai nuk do të të çojë më në robëri; por do të ndëshkojë paudhësinë tënde, o bijë e Edomit, do të nxjerrë në shesh mëkatet e tua. 

 

 


Vajtimet 5

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: